Home / Kulturë / Zade Kuqi: RRUGA QË DUHET QENË MË E GJATË

Zade Kuqi: RRUGA QË DUHET QENË MË E GJATË

-Përse dukesh kaq e zbehtë, si në pamundësi që të qëndrosh? Se si më ngjan në borën e prillit, se si më ngjan në lulët e majit; a e di, ato nuk mbajnë gjatë. – Kështu i foli këshilltari i parë i ministrit vajzës që qëndronte ulur në profil, pak më larg tij dhe e pyeti prapë:
-Përse më flet me këtë zë, gati në të shuar? – Ajo qeshi nën hundë dhe foli ngadalë, si i sëmuri në shtratin e vdekjes. – Unë vij nga ngjarje të kamotshme, nga takime që kanë ndodhur moti, shumë moti. Ti vetëm sa më nxore nga kujtimet, prandaj të dukem e bardhë, të dukem kaq e pa qëndrueshme, prandaj të ngjajë me borën e prillit, prandaj të ngjajë me lulet e majit. Kujtimet janë si burgu, dua të të them, zoti këshilltar i parë i ministrit, se të jetosh në kujtime, do të thotë të jesh e dënuar dhe nëse shpëton nga kujtimet, prapë të pret një dënim tjetër, ai dënim është vdekja.
-Prandaj dukesh kaq e zbehtë, -e pyeti prapë këshilltari i parë.
-Po, vazhdoi vajza, me një zë të thatë, shumë të thatë, – jam në prag të vdekjes! Gjatë kam jetuar në pjesën tënde të dhimbjes; atje ka munguar gjithmonë diçka, e di çfarë? – drita! Prej këtij çasti do të vazhdoj të jetoj në pjesën tënde të të harruarit. Bile, nga çasti, kur fillova të ndjehem, e harruar, fillova të dukem më e zbehtë, fillova me humbjen e gjakut dhe, si pasojë, m’u paraqit anemia.
Këshilltari i parë, për një çast u hamend nga fjalët e vajzës, pastaj e zgjati njërin krah drejt saj, si të donte ta mbronte nga vetë kujtimet e tij. Ajo lëvizi lehtë, gati instinktivisht. Rrëshqiti, vetëm pak larg krahut të tij, pa e kuptuar as vetë se nga kush mbrohej, nga ai, apo nga vetvetja, dhe bëri një rrotullim gjysmëharku të kokës e tha:
-Ndal! – Dhe vazhdoi të fliste me zë: -Jashtë kujtimeve, për mua bën shumë ftoftë; bën ftohtë dhe mbanë thatë.
-Ftoftë dhe thatë, ashtu si ndjehesha unë, -përsëriti ngadalë këshilltari i parë me vete dhe u bë i zymtë. Vërtet ashtu ishte gjithë këto vite, në kërkim të njëri-tjetrit, ftoftë dhe thatë.
Ai i ngjau vajzës me një tren, me një tren që po futej në një tunel nga i cili ajo nuk priste ta shihte të dilte. Sepse asaj iu fiksua ai, si një tren pa fishkëllimë.
Çdo gjë, pa paralajmërim bart në vete rreziqe. Sytë iu mjegulluan nga frika dhe dyshimi. Për çudi, këshilltarit të parë të ministrit vajza iu duk edhe më e bukur. “Jo, më e bukur”, mendoi ai, “por, më duket më e largët, më e frikëshme, qoftë edhe vetëm për t’u prekur. Ajo, sikur vazhdon të më ikë prapë nëpër vite. Pasi që u tund nga hamendja, në heshtjen e krijuar, këshilltari foli i pari:
-Eja ulu pranë meje!
-Si ta marrë…- pyeti ajo.
“Si ta marrë’’, i përsëriti fjalët e vajzës ngadalë këshilltari dhe qeshi në mes të dyshimit.
– …Si urdhër apo si lutje?-vazhdoi vajza.
Këshilltari i pare, këtë herë qeshi hidhur nën buzë. Gati sikur të rënkonte. Pa fijen e qejfit dhe pa fijen e ironies, iu përgjigj:
-Si të duash, si të të pëlqej ty, merre. Por,- vazhdoi vajza, – unë jam larg, shumë larg teje. Gjithë këto vite që na ndajnë, shpirtrat tanë i mbajnë, si qerre të vjetra, të ngarkuara rëndë. Nën peshën e tyre ne jemi kërrusur e thyer, aq sa tash dukemi kështu, të lodhur dhe të zbehtë; u ngjajmë, më shumë hijeve, se sa njerëzve.
-Pusho një herë dhe ulu pranë meje, ulu të lutem, – vazhdoi të këmbëngulte në parashtrimin e plotësimit të nevojës së tij, këshilltari i parë.
-Përse duhet të bëj diçka, për të cilën më është mohuar, të mendoj, në emër të diçkaje tjetër. Unë jam pjesa tjetër që ty të mungon,- vazhdoi vajza, – por s’mund të jem pranë teje. Mendoj se ti e di këtë. – Mori frymë thellë, por u mendua edhe pak, drejtoi sytë, herë drejt tij, herë tutje e tutje dhe nisi të flasë prapë. – Së pari më duhet ta gjej rrugën, rrugën nëpër të cilën duhet të kaloj, që t’i kaloj gjithë këto vite që na ndanë; ta kaloj gjithë këtë hapësirë mes nesh e të të arrij ty. Por kam frikë, shumë frikë, mos rruga e gjatë më bëhet edhe më e gjatë, apo, në të vërtetë duhet ta kuptoj mirë, tepër mirë problemin madhor të rrugës,- foli vajza që qëndronte, si e ngrirë në një cep të mendimit të tij.

Zade Kuqi


Lajmi Fresh

Milazim Kadriu: DËSHMI E RRUGËTIMIT TË USHTARIT TË UÇK-SË NGA DITËT E PARA TË LUFTËS DERI NË LIRI

Rudi Berisha “Ukshin Kosumi në shërbim të UÇK-së”, botoi KL “Zahir Pajaziti” – Podujevë, 2017 …