Home / Kulturë / Vera Istrefaj: Kuqëlimi

Vera Istrefaj: Kuqëlimi

Ngrita kokën dhe kuptova se sytë gati më ishin  errur nga lodhja

Kishte 20 minuta që kaloja nëpër duar ngjyra e modele nga më të ndryshmet të shalleve.

Ndjeva dhjetëra shigjeta sysh të ngulura tek unë. Përballë fytyrave të shumta të njerëzve që po më shihnin, unë mbeta e habitur, por nuk harrova ta vizatoj një buzëqeshje të lehtë në fytyrë.

Nuk desha ta jap veten se isha e habitur, por as të tregohesha e ashpër. Ashtu, krejt natyrshëm unë e buzëqeshja ime vijuam udhën për t’u larguar nga ai pirg rrobash të përdorura.

Tek ecja, një grua më tha:

-Shall i bukur! Ngjyrë e kuqe! Ta gëzosh!

E folura e saj nuk më percillte ndjesinë e urimit. Nuk e di pse!

-E kam për burrin- i thashë.

-Eshtë zeshkan dhe i shkon shumë e kuqja .

Sërisht vizatova buzëqeshjen, por kësaj here kjo ndodhi se përfytyrova Beson me shallin e kuq e flokët e zinj që i shkëlqejnë.

Po, po,buzëqesha  edhe për faktin se mendova dy djemtë tek do t’i thoshin:

-shumë bukur babi, si djalë i ri- dhe do të qeshnim plot mirësi.

Kur po përshkoja metrat e fundit  të rrugicës ku bëhen bashkë të gjithë hallexhinjtë e qytetit, një plak ngriti  zërin e më tha:

-Nuk e kane me shallin moj bijë, por me buzën tënde të kuqe !

U ndieva edhe mirë, edhe keq.

U ndieva mirë se kur po dilja nga shtëpia, për shkak të flokëve të mi që i kam bërë të çelur, vura të kuqin e buzëve për të marrë pak ngjyrë, por gjithmonë me drojen se ndoshta rrudhat në cepat e syve do të bënin kontrast me kuqëlimin. Përse të gënjej, vitet kanë bërë punën e tyre, por unë prapë përpiqem të dukem mirë, sigurisht , pa u bërë klloun.

Dikush mund të thotë se një gruaje  që ka dy djem të rritur nuk i kanë hije këto mendime, por…

Kështu  jam unë .

Tek i dhurova një buzëqeshje të natyrshme plakut në rrugicë, kuqëlimi më kishte pushtuar mollëzat e faqeve dhe më kishte ndezur dilemën se mos njerëzit më keqkuptonin.

Nga pas ndieja ende shigjetat e syve të tyre.

Në ato pak minuta rrugicën e kishte zaptuar kuqëlimi dhe unë vijova udhën e qetë për në shtëpi. Asgjë tjetër nuk kishte rëndësi.

Vera Istrefaj

Loading...

Lajmi Fresh

Buzëqeshja nanometrike e Mona Lizës

Shkencëtarët nga Instituti Teknologjik i Kalifornisë “pikturuan” portretin e famshëm duke përdorur një teknikë të …