Home / Kulturë / Relevanca e Kosovës pas “kurthit të Thukadidit”

Relevanca e Kosovës pas “kurthit të Thukadidit”

Besian Mustafa

“Ajo që e bëri luftën të pashmangshme ishte rritja e fuqisë athinase dhe frika që kjo shkaktoi në Sparta.” Thukadidi

Fërkimi i paevitueshëm mes Kinës dhe Amerikës

Rastisa në një artikull të magazinës prestigjioze amerikane Foreign Affairs (shq. Punët e Jashtme) titulluar “China vs. America” (shq. “Kina kundër/përballë Amerikës”) nga Graham T. Allison, shkencëtar politik dhe profesor në John F. Kennedy School of Government në Harvard i cili shtjellon dallimet themelore mes Kinës dhe Amerikës dhe fërkimet, për të mos thënë përfundimisht konfliktet e armatosura, e paevitueshme në mes të këtyre dy poleve të fuqisë globale. Në rastin antik mes Athinës dhe Spartës, Athina po pësonte një zhvillim të hovshëm të fuqisë së saj dhe kjo po shkaktonte frikë e panik në Spartë, e cila atëbotë ishte superfuqia absolute ushtarake në mesin e qytet-shteteve greke, frikë e cila e bëri të pashmangshme luftën mes Athinës dhe Spartës. Njësoj, argumenton Allison, zhvillimi i hovshëm kinez domosdoshmërisht po shkakton gjithnjë e më shumë frikë e panik në Amerikë, superfuqinë e vërtetë të vetme globale që past Luftës së Dytë Botërore, duke e bërë konfliktin, kryesisht ekonomik e gjeostrategjik por duke mos përjashtuar edhe atë ushtarak, në mes të tyre të paevitueshëm.
Allison përshkruan disa nga dallimet thelbësore mes Amerikës e Kinës në rrafshin shtetëror, ekonomik, individual, ndërkombëtar dhe kohor, natyrisht, në terme të përgjithshme:
Në rastin e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, rreziqet e Thukididës janë të komplikuara nga papajtueshmëria e civilizimit mes dy vendeve, gjë që e përkeqëson konkurrencën e tyre dhe e bën më të vështirë arritjen e afrimit. Kjo mospërputhje vërehet më lehtë në dallimet e thella midis koncepteve amerikane dhe kineze të shtetit, ekonomisë, rolit të individëve, marrëdhënieve mes kombeve dhe natyrës së kohës.
Amerikanët e shohin qeverinë si një të keqe të nevojshme dhe besojnë se tendenca e shtetit drejt tiranisë dhe shpërdorimit të pushtetit duhen druajtur dhe kufizuar. Për kinezët, qeveria është një e mirë e domosdoshme, shtylla themelore që siguron rendin dhe parandalon kaosin. Në kapitalizmin e tregut të lirë të stilit amerikan, qeveria vendos dhe zbaton rregullat; pronat shtetërore dhe ndërhyrja e qeverisë në ekonomi ndodhin ndonjëherë, por janë përjashtime të padëshirueshme. Në ekonominë e tregut të Kinës të udhëhequr nga shteti, qeveria vendos objektivat për rritjen, zgjedh dhe subvencionon industritë për të zhvilluar, promovon kampionët kombëtarë dhe ndërmerr projekte të rëndësishme ekonomike afatgjata për të avancuar interesat e kombit.
Kultura kineze nuk lartëson individualizmin e stilit amerikan, i cili mat shoqërinë nga sa mirë mbron të drejtat dhe nxit lirinë e individëve. Në të vërtetë, termi kinez për “individualizmin” -gerenzhuyi-sugjeron një preokupim egoist me veten mbi komunitetin. Ekuivalenti i Kinës për “më jepni liri ose më jepni vdekjen” do të ishte “më jepni një komunitet harmonik ose më jepni vdekje”. Për Kinën, rendi është vlera më e lartë dhe harmonia rezulton nga një hierarki në të cilën pjesëmarrësit i binden imperativit të parë të Konfucit: Di vendin tënd.
Kjo pikëpamje vlen jo vetëm për shoqërinë vendase, por edhe për çështjet globale, ku pikëpamja kineze mendon se vendi i duhur i Kinës është në majë të piramidës; shtetet e tjera duhet të rregullohen si kontribuuese të nënshtruara. Pamja amerikane është disi ndryshe. Të paktën që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Uashingtoni është munduar të parandaloj shfaqjen e një “konkurrenti të barabartë” që mund të sfidojë dominimin ushtarak të SHBA. Por konceptet e pasluftës amerikane të rendit ndërkombëtar kanë theksuar gjithashtu nevojën për një sistem global të bazuar në rregulla që kufizon edhe vet Shtetet e Bashkuara.
Së fundi, amerikanët dhe kinezët mendojnë për kohën dhe përjetojnë kalimin e saj ndryshe. Amerikanët priren të përqendrohen në të tashmen dhe shpesh numërojnë në orë ose ditë. Kinezët, nga ana tjetër, kanë më shumë mendime historike dhe shpesh mendojnë në terma dekadash apo edhe shekujsh.
Shtetet relevante për botën nuk vuajnë
Vite më parë, gjatë studimeve master në Nju Jork, një mik më sugjeroi një dokumentar trepjesësh të titulluar “Commanding Heights” (shq. “Lartësitë Komanduese”) që shtjellonte dallimet në menaxhim të burimeve dhe industrive thelbësore ekonomike në mes të SHBA-së dhe BRSS-së, pra të lartësive komanduese të një shteti, dhe tranzicionin e bllokut sovjetik, por edhe shumë shteteve tjera të botës, nga ekonomitë e centralizuara në ato kapitaliste të tregut të lirë. Një pasazh, ai i Kryeministrit të parë të zgjedhur të Singaporit Lee Kuan Yew, menjëherë më është ngulitur në mendje:
“Kur britanikët erdhën këtu (në Singapor) në vitin 1819, ata gjetën një fshat peshkimi me rreth 120 njerëz – pa bujqësi, sepse toka ishte jopjellore. Kur u shkatërruan perandoritë – holandeze, britanike, franceze – të gjithë donin të bënin tregtinë e tyre. Ne lehtë mund të ishim tharë në hardhi (shënim: të ishim vyshkur si shtet). Ne thjeshtë u deshtë ta bënim veten relevant për botën. Shteteve që bëhen relevante ju bie më mirë; ato që e përjashtojnë vetveten, vuajnë.” (Intervistën e plotë, nga e cila është shkëputur ky video pasazh, e gjeni të plotë në gjuhën angleze tek PBS).

Kosova në udhëkryq

Në pikëpamje të parë, Kosova ka shumë më shumë ngjashmëri me Kinën se me Amerikën. Shteti shihet si organ i plotfuqishëm i nevojshëm i cili përcakton çdo aspekt të jetës së qytetarëve të saj, përfshirë arsimin, edukimin, kulturën, sportin, aktivitetin komercial, etj. Kjo më kujton një barsoletë që përshkruan mjaftë mirë ndërlidhjen e shoqërisë kosovare me shtetin: një i ri pyet një plak “çka është bre ky ‘shteti’” dhe plaku, duke tentuar të i transmetoj plotfuqinë e shtetit, ja kthen “po shteti është, është… shteti është dërzhavë bre!” Njëkohësisht, ne kosovarët nuk çmojmë individualitetin, ngritjen e individit me forca vetanake, individin që ka guximin të dallojë nga shoqëria, por respektojmë mesataren, mediokrën, mendimin e përgjithshëm, përgjegjësinë në grup, lënien e fajit jetim. Më shumë se afërsi me kulturën kineze, natyrisht, kjo është afërsi me kulturën orientale otomane prezente mbi gjysmë mijëvjeçari.
Në anën tjetër, këto dy dekadat e fundit kosovarët kanë një lidhje shpirtërore me Amerikën të cilën, veçanërisht rinia jonë, e mishëron dita-ditës përmes konsumimit dhe zhvillimit (kujto Rita Orën, Dua Lipën, Era Istrefin, etj.) të kulturës, artit e muzikës amerikane në veçanti, e asaj Perëndimore në përgjithësi. Natyrisht, kosovarët i ndihen borxhlinj Amerikës dhe ndihen me fat për miqësinë me Amerikën dhe nuk kanë ndonjë lidhje historike e kulturore me Kinën, siç mund të ketë deri diku Shqipëria.
Përderisa Amerika e Kina masin forcat e tyre ushtarake, ekonomike dhe gjeostrategjike ne Kosovarët duhet shpejtë dhe me vendosmëri të vendosim: do ruajmë me xhelozi mendimin kolektivist orientalist apo do të përqafojmë dhe lartësojmë guximin, vizionin e punën e palodhshme të individit për të nxjerrë veten, dhe me të edhe rrethin, nga terri drejt të ardhmes gjithnjë e më të ndritur, pa vuajtje?

Lajmi Fresh

Një ese për shpirtin e Çamërisë

Ndonëse paksa i rënduar nga shëndeti, Profesori francez, Bernard Jakob, një njohës i shkëlqyer i …