Home / Përsiatje / REFLEKSE PËR NDËRTIMIN E QËNDRIMIT UNIK TË SHQIPTARËVE PËR EMRIN E SHTETIT TË MAQEDONISË

REFLEKSE PËR NDËRTIMIN E QËNDRIMIT UNIK TË SHQIPTARËVE PËR EMRIN E SHTETIT TË MAQEDONISË

Abdulla Mehmeti

Së pari, e falënderoj udhëheqësinë e Lidhjes së Diasporës Shqiptare për Maqedoni, e cila ka kërkuar të formohet një grup nismëtar i intelektualëve shqiptarë në Maqedoni, që ta shqyrtojë dhe ndërtojë një qëndrim unik në lidhje me zgjidhjen e kontestit për emrin kushtetues të Maqedonisë, duke konsideruar se me këtë mund të dëmtohet rëndë interesi i popullit shqiptar në këtë shtet dhe i kombit shqiptar në përgjithësi.

Në lidhje me këtë çështje e kam mbështetur punën e grupit të intelektualëve shqiptarë, nga takimi i parë në Tetovë, më 10 shkurt 2018, në synimet e tij për krijimin e një QËNDRIMI të përbashkët të shqiptarëve, përmes bisedimeve edhe me intelektualë të tjerë, ekspertë të fushave përkatëse dhe faktorë të tjerë, përfaqësues legjitim të shqiptarëve në Maqedoni.

Në lidhje me qëndrimin tonë për këtë çështje e kam njoftuar hollësisht edhe kryesinë e LDSHM (e cila ka propozuar formimin e këtij grupi nismëtar të intelektualëve shqiptarë në Maqedoni) përmes bisedave të zhvilluara më 5 dhe 7 shkurt 2018, ndërsa teksti i këtyre bisedave, u kam premtuar se do të shërbejë si bazë për përgatitjen e një dokumenti strategjik që do të shërbejë gjatë bisedimeve të mëtejshme të këtij grupi, me faktorin politik të shqiptarëve në Maqedoni (sipas nevojës), me intelektualë dhe faktorë të tjerë, me qëllim të sensibilizimit të opinionit të brendshëm dhe njoftimin e institucioneve ndërkombëtare me qëndrimin tonë në lidhje çështjen e kontestit për emrin e shtetit, si dhe caktimin e vijës së kuqe deri ku mund të tolerojnë shqiptarët të preken interesat e tyre, cënimi i identitetit shtetëror dhe atij kombëtar, nëse do të shfaqen tendenca të këtilla në fazën përfundimtare të bisedimeve, të cilat kanë zgjatur mbi 25 vjet pa pjesëmarrjen e shqiptarëve, edhe pse ato zhvillohen me ndërmjetësim ndërkombëtar dhe në kuadër të OKB-së.

Nuk ka dyshim që shqiptarët janë për zgjidhjen e këtij kontesti shumëvjeçar mes dy shteteve fqinje, i përkrahin bisedimet në funksion të gjetjes së një zgjidhje të qëndrueshme në interes të paqes dhe stabilitetit, me qëllim të përshpejtimit të proceseve të integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike, NATO dhe BE, si dhe përfshirjen aktive të Maqedonisë në projektet zhvillimore të Ballkanit Perëndimor, por njëherësh duke ua bërë me dije të gjitha palëve në këto bisedime se shqiptarët nuk mund ta pranojnë symbyllur çfarëdo zgjidhje, e cila do të jetë në dëm të interesave të tij, për aq më tepër kur kontesti mes këtyre dy shteteve nuk ka të bëjnë me identitetin kombëtar të palëve në bisedime, por me emrin dhe identitetin e shtetit, i cili nuk ka qenë kurrë dhe nuk mund të jetë shtet unitar, shtet kombëtar vetëm i një populli, atij maqedonas, por është shtet i përbashkët i popullit maqedonas, popullit shqiptar dhe bashkësive etnike pakicë që jetojnë në këtë shtet.

Me këtë, është koha e fundit që faktori shqiptar të jetë më syçelë, me qëllim të sigurimit të një zgjidhje të qëndrueshme, e cila do të prodhojë paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon, jo hegjemoni, dominim, cënim të interesave kombëtare të popullit shqiptar në Maqedoni, i cili është popull autokton në këto hapësira, jeton në vazhdimësi historike në trojet e veta etnike dhe përbën shumicë të konsiderueshme të popullsisë në Maqedoni.

Mendimi im është që nga bisedimet që do të zhvillohen nga intelektualët shqiptarë dhe faktorë të tjerë të interesuar për zgjidhjen e kësaj çështje, të miratohet së paku një Memorandum me qëndrimet tona për zgjidhjen përfundimtare të kontestit për emrin kushtetues të Maqedonisë, duke e hequr referencën ,,ish republika jugosllave”, por edhe përmes një Deklarate të njoftohet opinioni i brendshëm se cili është qëndrimi unanim i shqiptarëve për ermin e shtetit i cili është edhe i tyre, po aq sa edhe i popullit maqedonas dhe bashkësive të tjera etnike, si dhe përcaktimi i vijës së kuqe deri ku mund të tolerojnë shqiptarët edhe më tej të trajtohen si të huaj në shtetin e tyre të përbashkët, i trajtuar shpeshherë nga pushteti si ,,faktor i rrezikshëm dhe destabilizues”, me këtë duke ushqyer ndjenjë të mosdurimit dhe urrejtjes, nacionalizëm të papërmbajtur, shovinizëm dhe racizën mes qarqeve të ckatuara të popullsisë sllave kundër shqiptarëve në Maqedoni dhe përgjithësisht kundër kombit shqiptar.

Ne jemi në shtëpinë tonë, në vatrat tona dhe në shtetin tonë, prandaj askush nuk mund të vendos pa ne për emrin e shtetit të përbashkët, as për identitetin dhe të ardhmen e tij, me qëllime të errëta që ta ngulfat perspektivën europiane dhe auroatlantike të këtij vendi sipas planeve afatgjata të aleancave sllave ortodokse, të cilat përgjatë historisë e kanë coptuar disa herë rajonin gjeografik të Maqedonisë, të njohur që nga periudha antike me emrin Maqedoni, ndërsa sot ta mohojnë krijimin e identiteteve të reja etno-kulturore të krijuar në rrethana të caktuara historike, në pjesët e mbetura si njësi të veçanta politike-territoriale, siç është aktualisht Republika e Maqedoniasë, e krijuar në rrethana të jashtëzakonshme pas Luftës së Dytë Botërore si republikë ish jugosllave më 1944 dhe si shtet i pavarur në vitin 1991, me çka janë cënuar rëndë interesat e popullit shqiptar nga pushtetet jodemokratike të tij, për të cilin qëllim edhe kësaj here e shprehim pakënaqësinë dhe revoltën tonë, që kjo përvojë e hidhur të mos përsëritet edhe në të ardhmen.

E para, vija e kuqe që nuk duhet ta kalojë asnjëra nga palët në këto bisedime për zgjidhjen e kontestit për emrin, sipas nesh është: emri i ri i shtetit për të cilin do të merren vesh palët në bisedime nuk guxon të mos përfill interesin, identitetin dhe barazinë e shqiptarëve në këtë shtet.

E dyta, emri që do të zgjidhet, e që do të përfshihet në dokumentin final të marrëveshjes, në protokollet e palës ndërmjetësuese, në të ardhmen edhe në Kushtetutën e vendit, të shkruhet edhe në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj, si për përdorim të brendshëm edhe për përdorim ndërkombëtar, sidomos në OKB, në kuadër të së cilës zhvillohen këto bisedime për zgjidhjen e kontestit për emrin e shtetit të Maqedonisë.

E treta, emri i ri kushtetues i shtetit nuk duhet të ketë përmbajtje që nuk i përgjigjet realitetit historik dhe etnik të Maqedonisë dhe nuk duhet ta cënojë identitetin kombëtar të shqiptarëve, të asnjë populli dhe bashkësie etnike tjetër në këtë shtet.

E katërta, asnjë vendim i njëanshëm nuk do të jetë i pranueshëm për palën shqiptare, nëse ata edhe më tej do të mbeten të përjashtuar nga këto bisedime. Pa pjesëmarrjen e palës shqiptare, edhe atë, me legjitimitet të gjerë përfaqësimi, jo vetëm të disa politikenëve dhe subjekteve politike që aktualisht janë pjesë e pushtetit në Maqedoni, si dhe pa respektuar vullnetin e shqiptarëve dhe të qytetarëve të tjerë në këtë shtet, asnjë zgjidhje nuk do të jetë e pranueshme për ne, pavarësisht në cilin nivel zhvillohen negociatat dhe sillen vendime në lidhje me këtë çështje.

Në fund, mund të kontatojmë se, palës shqiptare në këto kushte dhe rrethana i kanë mbetur vetëm disa mundësi, duke qenë e (vetë)përjashtuar nga bisedimet në lidhje me kontestin për emrin kushtetues të shtetit, me ndërmjetësim ndërkombëtar, që:

1. Pala shqiptare të ndërtojë qëndrim unik në lidhje me këtë çështje;
2. T’i njoftojnë palët në bisedime dhe institucionet relevante ndërkombëtare për qëndrimin e tyre në lidhje me këtë çështje;
3. Të mos eksperimentojë me propozime të reja për emrin e ri kushtetues të shtetit, ndërkohë që bisedimet me ndërmjetësim ndërkombëtar për këtë çështje janë në fazën përfundimtare, ndërsa prolongimi dhe komplikimi i këtyre bisedimeve nuk mund t’i sjell asnjë dobi palës shqiptare, duke mbatur llogari për prioritetin e integrimit të këtij shteti në strukturat euroatlantike, NATO dhe BE;
4. T’i paralajmërojë të gjitha palët në bisedime në lidhje me kontestin për emrin e shtetit se, çfarëdo zgjidhje pa pjesëmarrjen e palës shqiptarë është e papranueshme për atë, duke pasur parasysh se ky nuk është kontest për identitetin kombëtar të palëve, popullit maqedonas ose popullit grek, por kontest për emrin kushtetues dhe identitetin e shtetit të përbashkët, të popullit maqedonas, popullit shqiptar dhe bashkësive etnike pakicë që jetojnë në të;
5. Të kërkojë me çdo kusht që emri i ri eventual i shtetit, në marrëveshjen përfundimtare dhe dokumentet tjera nga këto bisedime, në aktin e njohjes së shtetit me emër të ri eventual nga OKB dhe organizatat ndërkombëtare, dhe sidomos në kushtetutën e ardhshme, emri i ri eventual i shtetit të shkruhet edhe në GJUHËN SHQIPE DHE ALFABETIN E SAJ, në të kundërtën, çfarëdo vendimi dhe veprimi në kundërshtim me këtë qëndrim të palës shqiptare do të konsiderohet si imponim i padrejtë dhe i dhunshëm, shkelje e të drejtës historike dhe etnike, i konventave ndërkombëtare, cënim i identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni dhe interesave të kombit shqiptar në rajon dhe më gjerë, me këtë edhe cenim i paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

(12 shkurt 2018)

Loading...

Lajmi Fresh

SHERRI GREK PËR EMRIN E MAQEDONISË ME PËRCAKTIM GJEOGRAFIK

Abdulla Mehmeti Përmes propozimit më të preferuar për emrin me përcaktim gjeografik ,,Maqedonia Veriore” ose …