Home / Poezi / Namik Selmani – SFIDA E ËNDRRËS

Namik Selmani – SFIDA E ËNDRRËS

Kërkoi mjegulla të fshihte fytyrën engjëllore
Ballin,
Buzën,
Flokët e verdha.
Faqet e kuqe.
Ooooo, u mundën, u theqafën
U shkërmoqën si misri i kalbur në kalli.
Si turtuj nga tërmetet u larguan, bënë tutje.

Mes këngëve buzëqeshja mori Pasaportën e Kujtesës
Në Monument ëndrre
Të vura si shenjtore që vjedh shikime,
U zemërova me vete,
Me udhët që të merrnin hapat, takat,
Doja të vinin tek unë njëherësh
Natën,
Ditën,
Muzgjeve kur vinin bujqit të lodhur nga brazda.

Kërkonte rëra
Të princëronte me hiret e tua, me sytë e kaltër.
Rrugët e jetës sime të donin si një far,
Ndaj më bënë peshkatar,
Që shtrëngonin rrjetat në palën e dallgës.

Më bënë këngëtar me harpën ilire
Me violinën e gjetheve pranverore
Me qelizat e zemrës dashurore.

Askush
Nuk mundën të bënin anonim brenda hapësirës
Oh,
Ti ishe e mbete
Troku i largët që mund ehon e humbëtirës.

Në majën e ajzbergut
Jam ndalur për ty si pulëbardhë në dete,
Të të shoh tej perdesh
Nga oqeane ku mungojnë krahët e zgalemëve.
Ti je me mua
Në rrënjë të Lisit te Mallit bën fole.

E sërish
Në garë me mjegullat
Në ëndrrën time prehesh, zgjohesh, ngrihesh e bën fole.

Namik Selmani 

Boston, 8 dhjetor 2017


Lajmi Fresh

Nora Lokaj – FRAGMENT

Me pelerinë ngjyrë gri Sytë e qiellit mbuluar janë Si Euridika kur humbë nga sytë …