Home / Natyrë / MJESHTËR XENI (Më shumë se një portret për fotografin e talentuar Shkëlzen Rexha)

MJESHTËR XENI (Më shumë se një portret për fotografin e talentuar Shkëlzen Rexha)

Namik Selmani
Kur kemi qenë para fotografive të papërsëritshme të Luvrit në Paris, apo dhe në muzetë me famë të Evropës dhe botës, pa dyshim që e kemi ndarë simpatinë, mirënjohjen dhe respektin mes objektit të fotografuar dhe atij emri që shkruhet diku poshtë me disa shkronja të vogla, por që ka meritën më të madhe të kësaj vlere që shkon në shekuj. Vetë Xeni, më saktë Shkëlzen Rexha, është një portret më vete. Me ato syzet pak të rëna në hundë, ai të befason me atë shikim fotografi. Si një bacë fotografie ai ka një shikim zhbirues në secilin portret të njerëzve që ka mes tij. Kështu ndodh me Omer Kaleshin flokëkërleshur. Kështu ndodhte me Kadri Roshin thinjëbardhë. Me Ajnshtajnin, me Tolstoin. Që tani ai është një portret, që kërkon ta kesh në vendet më të dukshme të dhomës, pse jo dhe të zemrës. Ai është vërtet hyjnor, ndaj dhe artistët që e përcjellin atë si është dhe Xeni kanë brenda vetes rreze hyjnore. Ai është një Marub Kosove dhe një Gjon Mili i kohëve tona. Mund ta vija një titull befasues nga ato që shkimtarët dhe gazetarët bashkëkohorë e fshehin nën mëngë kur duan që të bëjnë atë të papriturën shkronjore para lexuesve, ani pse në brendësi sensacioni shkërmoqet sa një flluskë tollumbaceje kur lexon vazhdimin. Për Shkëlzen Rexhën do të thoja sa thjesht, aq dhe madhërishëm MJESHTRI. Formimi i tij si fotograf profesionist është i befasueshëm. Është ndër të rrallët e trojeve shqiptare, që ka një formim akademik në fushën e fotografisë. Duhet thënë se që në kohën e ish-Jugosllavisë së Titos në Prishtinë, ka qenë hapur lënda e fotografisë në Akademinë e Arteve. Kështu ai ka mbaruar Universiteti i Prishtinës, Akademia e Arteve 1978-1982 Prishtinë, në degën dizajn grafik dhe në fotografi. Dhe më tej ka mbaruar masterin në Akademinë e Arteve të Prishtinës më 2007-2009, në degën dizajn grafik, fotografi. Pak më vonë edhe ai do të bëhej atje si ligjërues i lëndës së fotografisë, dega Teknologji-Informatikë në Universitetin e Prishtinës – në Gjakovë. Fotografi Shkëlzen Rexha, i cili përmes fotografive të tij ka shpalosur historinë e Gjakovës, traditat dhe kulturat e saj. Puna e tij e parë ishte në Jateks-Fashion. Sot ai në këtë qytet është i njohur si fotograf i trashëgimisë popullore. Me këto shifra duket se rruga e artit të fotrografisë në Kosovë nuk kuptohet dot pa 30 vitet e Shkëlzen Rexhës, në këtë art shumë të aftë për të përcjellë emocione dhe mesazhe kujtese. Në vitin 1999 hapi ekspozitën e parë në Gjakovë “Nëna dhe fëmijët”. Me syrin e artistit ai pasqyronte në celuloid historinë tragjike të vendit të tij, duke trajtuar si leitmotiv ndjenjën më të spikatur të njeriut dhe artistit, njerëzoren. Një gjë që ai do ta bënte edhe vite më vonë, kur me objektivin e aparatit të tij do të fokusonte dhimbjen e familjarëve të të zhdukurve nga lufta e Kosovës e vitit 1999. Me këtë temë ai do të hapte dy ekspozita, me rastin e 30 gushtit, Ditës së të Zhdukurve, për të vazhduar me shumë ekspozita jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por edhe nëpër Evropë. Në Zvicër hapi ekspozitat për të vazhduar në Austri, Suedi, Turqi dhe Gjermani. Paralelisht me punën e përditshme dhe krijimtarinë artistike, Shkëlzen Rexha ka bashkëpunuar ndër vite edhe me revista dhe gazeta të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri. Përherë ka patur natyrën e një fëmije të gjallë, të ndryshëm. Çdo herë ka marrë mundimin për të bërë gjëra të ndryshme, ndryshe nga të tjerrët që është tipar i artistëve të vërtetë, të mëdhenj. Në këtë çast m’u kujtua i madhi Sotir Capo, Artist i Merituar nga Berati. Ai ishte një piktor i peisazhit dhe për të parë perëndimin e diellit i duhej që të nënte me këmbë 10 kilometra e që shumë për të shkuar në Qafën e Sqepurit për ta parë atë. Vetëm pasione të mëdha të dërgojnë në këto ide të mëdha. Përherë e ka dashur të bukurën te fotografia. E për këtë ka vënë kudo e kurdoherë syrin dhe shpirtin. Ka një histori të bukur me këtë art në fillesën e tij Xeni. Shkrepjen e parë e ka në vitin 1968-69. Ishte nxënës i vitit të parë të shkollës Normale në Gjakovë. Kishte shkuar te një fotograf për të vënë filmin në aparat. Ishte hera e parë që fotografonte me aparatin që i kishte sjellë babai nga Hollanda, nga që punonte atje përkohësisht. Adem quhej babai i tij. Shkoi në shëtitje me shkollën në Çabrat. Aty fotografoi shokët dhe shoqet e klasës. Kur kthehet nga shëtitja e dërgon filmin ta stampojë te fotografi. Pasi u bë stampimi, fotografi e pyeti: -Kush i ka fotografuar këto pamje? -Unë, kush tjetër! -Si është e mundur? -i tha ai plot çudi. -S’është mbushur! As dy-tre orë që të pata me filmin e parë në dorë, ku dhe të dhashë udhëzimet e para se si përdoret një aparat fotografik. Këto fotografi nuk i bëjnë edhe fotografët që kanë përvojë dhe jo më ti që sapo ke vënë filmin e parë. Ishte dhënë prova e parë. Bashkë me çudinë fotografike kishte bekuar një rrugë të re te Xen djaloshi. Nuk ishte piktor, po e dinte se të dyja kishin pika takimi. Sekreti i fotografisë është këndi që zgjedh ai njeri që kërkon të bëhet fotograf. Edhe shkrepja ka historinë e vet në Kosovë, Shqipëri e në botë. Ka një “garë” të fshehtë, që ai të dërgojë më tej përvojën e Marubit dhe të Gjon Milit. Një fotograf i njohur, kur pa fotografitë e tij, shprehej: -Ti ke kërkesa dhe këndvështrime shumë të ndryshme nga kërkesat dhe këndvështrimet e fotografëve që njohim në përgjithëse deri tani. Më befason me kërkesat e tua të çuditshme, kërkesa që deri më tani nuk i ka pasur njeri…Vazhdo në këtë mënyrë dhe do të mbërrish lartësitë. Xeni ka një dashuri të jashtëzakonshme për natyrën shqiptare të të katër stinëve, të të gjithë krahinave. Me ‘to mund të bësh sa e sa ekspozita të bukura që të befasojnë të gjithë evropianët. E është vërtet edhe një shërbim mjaft i madh, që i bëhet vendit me këtë punë kaq fisnike, që ai bën. Për këtë, diku në një intervistë të bërë me një gazetar ai, thotë: “Do të dëshiroja që edhe vendi ynë, me shqiptarët kudo që janë, të ketë natyra e bukuri si vendet perëndimore si Hollanda, Gjermania, Zvicra, të ketë bukuri të pastra, ku njeriu nuk ndërhyn në mënyrë të gabuar, pasi bukuritë nuk na mungojnë, por kujdesi dhe mirëmbajtja duhet të jetë në një shkallë më të lartë. Gjermania më ka pëlqyer për bukuritë e natyrës nëpër liqene përrallore, ku gjeje të kultivuara të gjitha llojet e luleve që mund të ndodhen në botë, nëpër këto vende të krijuara e të veçuara dhe që ruheshin me një përkujdesje të lartë. Hollanda me parqet e bukura me lule të shumëllojshme dhe me zbukurimin e luleve në forma të ndryshme duke përdorur figurat e filmave vizatimorë dhe të miteve dhe të folklorit të vendit, Zvicra për ujëvarat e bukura në mes të liqenit, kam pasrasysh këtu liqenin në qytetet e Lucernës, Zyrihut, Bazel… Shqipëria më ka pëlqyer për syrin e kaltër, Saranda me bukuritë e saj si Butrinti, Berati shekullor e Kruja legjendare, Vlora dhe Durrësi që të magjepsin me bukuritë e tyre…
Në Kosovë do të veçoja ujëvarat e Mirushës, Grykën e Rugovës, Brezovicë, Bogë që dallojnë si vende me borë dhe që parapëlqehen për pushimet e dimrit dhe për freskinë që marrin në pranverë, Prizreni me kalanë e tij dhe me ndërtimet karakteristike… Vetë qytetin tim të lindjes, Gjakovën, ku do të dalloja në veçanti pjesën e vjetër. Si njeri me kulturë të rrallë në mbarë Kosovën, jo vetëm për profesionin e tij, por edhe në fusha të tjera, ai na kujton një “baba” të fotografisë shqiptare, si Gjon Mili. Për ‘të ai është krenaria e popullit shqiptar. Është mjeshtër i fotografisë, i cili ka ngritur në lartësi artin e fotografisë dhe ka krijuar një përfytyrim të ndryshëm për shqiptarët, nga mendimi që ishte krijuar për ata deri në atë kohë. Deri ku ka shkuar fotoja e tij? Ka fotografuar njerëz të mëdhenj, ku dallojnë fotografia e piktorit francez Pablo Pikaso, të cilat kanë hyrë në fondin e artë të fotografisë botërore. Jo më pak për të janë dhe “Marubët”. Për këta mjeshtra, që sollën të parët aparatin fotografik në Shqipëri dhe janë mësim për të gjithë, që dashurojnë artin e fotografisë. Për këta mjeshtra, me të cilët mund të mburret çdo komb, sidomos me arkivin e tyre të rrallë. Mos e kërkoni numrin e vërtetë të fotografive që ai ka realizuar, sepse ato janë të panumërueshme! Mbase do të jem i saktë në gjykimin tim, kur të them se ai e njeh edhe natyrën e Shqipërisë cep më cep. Madje ka fituar edhe çmime me foto të këtyre mjediseve. Ai vlerëson tek ata dashamirësinë, çiltërsinë, dëshirën për të ndihmuar. Në përvojën evropiane ai dallon kontaktet me Gjermaninë, natyrisht të lidhura me artin e fotografisë. Ruan kujtime të pashlyeshme nga Gjermania edhe nga vlerësimi që i janë bërë disa punimeve që ai ka bërë në këtë shtet. Mjaft fototografi të tij u pëlqyen shumë edhe nga fotografë të mëdhenj, por dhe nga shtresat e thjeshta të popullsisë. Në vlerësimet që i janë bërë fotografisë së tij, ai veçon atë të ambasadorit të Zyrës Amerikane në Prishtinë z. Meclaren. Edhe sot e kujton kaq mirë kënaqësinë që ai pati kur ia pa punimet. Vlerësoi tek ato këndvështrimin dhe përdorimin në mënyrë të veçantë të dritëhijes, kompozimi i vendosjes së objektit. Ai ishte dhe një mjeshtër i njohjes së artit të fotografisë. Ku qëndron sekreti i fotografisë së Shkëlzen Rexhës? Na e thotë gati telegrafikisht, që më tej është sa njëqind libra për estetikën e këtij arti kaq të njohur në kohët modern “Koha e mirë, drita, këndvështrimi përshtatja me aparatin fotografik, leximi i librave që kanë lidhje me fotografinë, shikimi i sa më shumë fotografive, njohja me fotografë të botës dhe punë, punë, shumë punë.” Formimi profesional i tij ka ardhur duke u përsosor edhe me trajnimet, ku ai ka marrë pjesë “Planifikimi Strategjik” MDA & MAR shtator 2005, Ohër, “Marketingu dhe plani i Marketingut” Swisscontact dhjetor 2006, Gjakovë “Training in Fascilation Techniques” CIVET, maj 2007, Gjakovë “Krijimi i ideve të reja dhe zgjidhja e problemeve” maj 2008, Ohër Ligjerues: Kursi Themelor i Fotografisë, Qendra Kulturore Turke, “Yunus Emre” Pejë, 2015 (mars-maj) & (prill-maj) 2016. Ka hapur mbi 30 ekspozita personale në Kosovë, Shqipëri, Zvicër, Mali i Zi, Kroaci, Austri, Suedi, etj. Të gjitha ato kanë tematika të ndryshme, duke nxjerrë vetëm pak nga ai thesar që ka arkivi i tij i jashtëzakonshëm. Ai ka marrë pjesë në disa ekspozita ndërkombëtare, të paktën në një përiudhë të 10 viteve si në Prishtinë, Fier, Shkodër, Shkup, Berat, Suharekë, Tiranë, Pogradec, Preshevë, Leçe të Italisë, Zagreb… Dhe janë deri tani 25 të tilla. Është një garim që do ta lakmonte çdo profesionist Ka nisur të merret me ekspozitat koletive që nga viti 1980, pra para gati 40 viteve. Një fotograf nuk mund të kuptohet pa bashkëpunimet me revista dhe gazetat. Këtë ai e realizon çdo ditë me revistën “MISS” Kosovë nga viti 1996-2010, “Kosovarja”, revista enigmatike “SKANDI 55”, “Skandi 111”, “Skandi 200”, “Fjalëkryqi 100”, “ABC”, etj. Revista për turizëm “Travel”, Shqipëri. E bën me gazetat ditore “Koha Ditore”, “Bota Sot”, “Lajm”, “Zëri”, “Gazeta 55” (Shqipëri), “As” (Maqedoni), etj. Gazeta javore: “FOKUS”, “24 Orë”, Gazeta mujore: “Gjakovapress”, Revista Shqiptare e Turizmit rajonal “Travel”, Shqipëri. Garimi i tij ka patur një “thes” me mirënjohje me çmime. Ai tashmë është zëri më i fortë që ka Kosova dhe Shqipëria në Ballkan dhe në Europë për fotografinë. Nga ky gjerdan i madh do të përmendim disa, si Çmimi “Krijuesi i Vitit për Dizajn dhe Fotografi” viti 2006 Gjakovë, Çmimi i dyte ”Fotografi artistike” Fokus 2007 Fier, Çmimi i dytë ”Fotografi artistike” Galeria IRIS-2008, Shkodër. Mirënjohjë Kuvendi Komunal në Gjakovë, viti 2006, 2008 Çmimi i parë ”Fotografi artistike” tema “Varfëria” foto të botuara në gazetën “Gjakovapress” Organizata e Kombeve te Bashkuara, Kosovë-Prishtinë, 2010 Kosovo Photography Çmimi i parë me temë Peizazhi-2010, Mirënjohje në Ekspozitën Ndërkombëtare të Fotografisë artistike “Gjon Mili” 2011 në Prishtinë, Mirënjohje nga Muzeu Etnografik, Fototekës, Bibliotekës dhe Filatelisë, Tuz, Mali i Zi, 2012 Iniciativa Sociale, Kosovë, Mirënjohje, çmimi fotograf i Vitit 2012, Pejë, 2012 Mirënjohja nga Komuna e Gjakovës, Biznesi më i suksesshëm për vitin 2012. Mirënjohja nga “Gazeta Gjakovapress” me rastin e 5-vjetorit të daljes së gazetës, 2013 Në Konkursin InstaKosova që u organizua në kuadër të diplomacisë digjitale te MPJ, përkrahur nga projekti i përbashkët me Ambasadën e Norvegjisë, Ambasadën e Britanisë së Madhe dhe Këshillin Britanik. Mbi 10.000 fotografi u postuan në rrjete sociale me parashtesën InstaKosova. Ai ishte fitues në mesin e 5 fotove më të mira me foton “Harmoni Kulturore”. 100 fotot më të mira do të botohen në një botim të veçantë që do t’u dërgohet edhe ambasadave të Republikës së Kosovës. Best Overall Photography contribution to Wikipedia, Vendi i dytë, 2014 Best Photography of Gjakova, Vendi i parë, 2014 Best Photo for Wikipedia, Vendi i dytë, 2014 Best Foto In “Yonus Emre Enstitüsü” – Shkodër, Vendi i parë, 2014. Best Photograph 2015, Lidhja e Poetёve, Shkrimtarёve dhe Artistёve “PEGASI”, Shqipëri-Kosovë “Wiki Loves Monuments 2016” në Kosovë, Çmimi i Dytë “Wiki Loves Monuments 2016” – Shqipëri, Çmimi i parë. Një përvojë e tillë kaq e pasur është pasqyruar edhe në librat e tij vetjakë, ose edhe në përmbledhje. Ka hartuar “Informatorin e Kuvendit Komunal” në Gjakovë dhe një album me foto të Gjakovës. Ka botuar “Veshje tradicionale Shqiptare në Kosovë” 2009, Gjakovë – Kosovë, “Guidë turistike – 2010 “Gjakova City & Valbona Valley” 2009 Gjakovë -Kosovë. Është bashkëautor i fotografive dhe dezainjit “Çarshia e Madhe e Gjakovës”, etj. Ka qenë dhe anëtar jurie profesionale në Konkursin e fotografisë artistike në Preshevë, “Pre-Foto 2013”. Mes pasioneve të muzikës, të sportit, të filmit, gazetarisë ai është guri më i rëndë i kulturës së Kosovës. Të gjithë e njohin Mjeshtrin Xeni në Gjakovë e ai na thotë se kjo është mirënjohja më e madhe, që ka për atë punë që ka bërë dhe që e nxit për të bërë sa më shumë të tilla në të ardhmen. Brenda këtij shkrimi të pambaruar unë jam krenar dhe i obliguar për të dhënë sa më bukur këtë rrugë, se para dy vitesh me ‘të kam patur një nga bashëpunëtorët më të mirë në botime librash. Këtë gjë e lakmojnë dhe të tjerë. Është nder i madh në Kosovë që të kesh në libër emrin dhe punën e Xenit. Kisha në dorëshkrim librin “Borxhi i Ali Podrimjes” me poezi për Kosvën dhe Çamërinë. E ka patur shumë shok Ali Podrimjen. Fotot e tij, me të cilat ilustrova librin, ia rritën dhe më shumë cilësinë atij. Mirëdashja e profesore Migena Arllatit dhe besueshmëria tek arti i tij, bëri që në promovimin e librit në Gjakovë të kishte rreth 400 pjesëmarrës të elitës kulturore të Gjakovës, Prishtinës dhe Tiranës. Me shumë respekt ai na flet edhe për fotografin Rexhep Rifati, që punon dhe jeton në Zvicër, por që ka dhe një karrierë të shkëlqyer në fushën e fotografisë artistike Ai është një nga kronikanët e artit të fotografisë edhe për Shoqatën “Bytyçi”, ku bashpëunojmë të dy prej vitesh dhe ku ka hapur dhe një ekspozitë fotografike me temë “Plisi”. E për këtë, vetë kryetar Agron Gjedia, na thotë: -Është një nder i madh që të kemi në rrugëtimin e Shoqatës sonë një personalitet kombëtar si Shkëlzen Rexha, që është një njeri i madh, një artist i madh. Duke parë punën e tij, të paktën me çikistët, më duket se lexoj një poezi të bukur, më të bukur se të gjithë poezitë që kam lexuar dhe kam bërë. Pashë jo një, por disa herë faqen zyrtare internetike të Klubit Çiklistik “Gjakova 137”, që është promovuar para disa ditësh në prag të turneut të radhës, atij të Shebenikut në Librazhd. Nëse do ju thoja se u lotova nga gëzimi dhe krenaria, edhe mund të mos e besoni. Mbase burrit do t’i kishin më vlerë lotët e gëzimit se të dhimbjes. Ani! Po besomëni, se u lumturova dhe u bëra më krenar. Shumë më krenar se edhe një francez që mburret me Luvrin e Senën, se një anglez që më tregon mes mjegullës Tamizin, arkivët e lashtë e të rinj, më shumë se një amerikan, që më tregon se banka e Uoll Stritit drejton botën me dollarë. Më shumë se një italian që më tregon sa e sa kisha, teatrom manastire, makarona. Më shumë se një rus me florinjtë e derdhur në kishat e Petërburgut dhe me valset e saj. E thashë me vete: “Mbase po t’ju kisha pranë në këtë fjalëburri, besomëni në këtë kuvend! Nëse do atdheun, jeto me këtë histori të bukur. Jo dhe jo! Nuk është histori rrugësh, gurësh balte, buzëqeshjesh, tendosjeje muskujsh në këmbë në duar, supe të njomura, uri, etje, dhimbje, petale lulesh mbi sup, përplasje, aksidente. Të gjitha, të gjitha janë brenda teje, atdheu me detet e tij, me malet, luginat, me lisat, me shtigjet që të prekin dhe të urojnë mirëseardhjen. Ështe dielli i Ballkanit, është shiu, është rruga e borëruar, në të cilën mbeten një çast gjurmët e gomave, është një sy fotografi që të fikson edhe kur je mbi biçikletë, edhe kur ajo e mira ardhë prej Evrope, të ngjitet në supe e ti duhet ta mbash pa e mallkuar kurrë. Nëse e doni atdheun, shihni këta sy çiklistësh të Gjakovës dhe do të thoja se edhe ju do të jeni po kaq të lumtur. Do të thoni, do të piskoni gjer në kupë të qiellit, jo si Ajkuna jo, jo, do të thoni: “Faleminderit miqtë tanë, faleminderit vëllëzërit tanë që na treguat se si është atdheu. Faleminderit, ju jeni patriotë të vërtetë! I nderoj gjer në kupë të qiellit dëshmorët e UÇK-së të Kosovës. Shkruaj për ‘ta. Gati në të gjithë antologjitë e tyre në Kosovë kam marrë pjesë, që nga ajo e fundit që u promovua në Prishtinë për Ukshin Hotin. Por edhe këta djem janë heronj të gjallë, të heshtur. Takojini dhe do të më besoni. Për besë të fjalës, janë dhe do të mbeten të tillë. Është një Agim Haxhija, që sakfikon familjarisht kaq shumë. Është një Mjeshër si Shkëlzeni, Rexha që i ndjek kudo me aparatin e tij magjik. Është pak falenderimi. Po në çdo nisje drejt rrugëve, mos harroni ta takoni çdo dorë të tyre. T’u jepni një ujë Sharri, Korabi, Tomori, Shkëlzeni! Mos harroni që t’u jepni një lule, qoftë edhe në mes të dimrit. Ata janë me ju dhe ne jemi me ata. * * * Shikoni një çast fotot e Shkëlzenit. Të gjithë personalitete të artit të Gjakovës të Kosovës, pushtetarë, ish luftëtarë, deputetë dhe ish deputetë, artistë të skenës të ekranit, këngëtarë, njerëz të thjeshtë të mbarë shqiptarisë si është fotografi nga ajri, Alket Islami e kanë për nder që të jenë pjesë e ditës së tij të punës të kafes lumturore. E kanë për nder që të kenë qoftë dhe një foto nga dora e tij. E shpesh fjala për të është e vakët, e pafuqishme që ta zbërthejë atë që do të thotë. Gjakovë, 17 maj 2017. Sërish me një pyetje: “Ku buron arti i madh i Shkëlzen Rexhës?” Vështirë që ta thuash kaq lehtë, por një gurrë e tij është Gjakova e tij dhe e fëmijëve të tij. Shkëlzen Adem Rexha mbase nuk do të ishte një kalorës majash, poqe se brenda hapave të tij, dorës së tij magjike, vështrimit të rrallë, nuk do të ishte Ereniku, Gjakova e bukur, Luvri i Kosovës. Qyteti i Teatrit, i çiklizmit, ku Agim Haxhija jep kaq shumë kontribut, i këngës tradicionale, i mikpritjes, i piktures, i liridashjes. Brenda lirikës që të jep fotoja e Shkëlzenit bëra dhe këtë buqetë poetike të titulluar “Syri i atdheut”. Ma jep syrin tënd të shoh gjithë trojet e bekuara të kombit. Një nga një të fus brenda vetes lulet, detet dhe ullinjtë e blertë. Në lapidarë të ndiej me ty regëtimin e lirisë brenda gjoksit. Në logje kuvendesh të bëhem vetë prijatar me ty në një betejë. Merre hapin tim, gjurmë më gjurmë të shoh varre, livadhe, ura. Merrmë një copë shpirti të më përflaket në atë tokë fisnike. Në atë shkrepje aparati fëmijët u lindën dhe u bënë nëna dhe burra. Bjeshkët u dehën nga urimet e vallet me rreze drite. Ma jep syrin, atë shpirt bujar e të bukur t’ia vë gjoksit si kordele. Të prek krenarinë, ashtu fytyrëskuqur para lavdisë që të jep nderi dhe puna. Jo, nuk dua të bëhem kreshnik përrallash me mistere. Dua të jem probatini i një udhe, ku gdhendet për jetë gjurma. Ma jep dridhjen e dorës dhe atë sy të bukur të shoh Gjakovën e Çamërinë! Të bëhemi bajraktarë, të magjjsë që të jep dashuria për tymtarin e odës. Të vllaznohemi me amanetet, që marrim pranë altarit të lirisë. Të flatrohemi me flatra shqiponje në zemrën e Bacës. Syri i trollit qofsh, Xeni, për jetë e mot e hapi yt qoftë lule që lulon!
Loading...

Lajmi Fresh

Fotografi i ri Flakon Blaku kësaj radhe na befasoi me pamje dimri (FOTO)

Fotografi i ri nga Podujeva Flakon Blaku ekësaj radhe ka shfaqur pasionin e tij me …