Home / Shëndet / Mjekësia disponon mjetet për t’i dhënë fund SIDA-s

Mjekësia disponon mjetet për t’i dhënë fund SIDA-s

Kombet e Bashkuara njoftuan se është arritur përparim i rëndësishëm në izolimin e virusit të SIDA-s. Në raportin më të fundit të UNAIDS thuhet se është rritur qasja tek ilaçet, ndërsa objektivi i OKB-së është që t’i japë fund kësaj pandemie deri në vitin 2030. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, bisedoi me një nga shkencëtarët më të njohur të botës, nëse mund të arrihet ky objektiv.

Që në vitet ’80-të, kur SIDA ishte një dënim me vdekje, Dr. Anthony Fauci ka punuar për t’i dhënë fund kësaj sëmundjeje pandemike.

Tani, ai thotë se i kemi mjetet për t’ja dalë mbanë.

“Kemi tashmë ilaçe jashtëzakonisht të efektshme, të cilat kanë provuar gjatë viteve të fundit se jo vetëm shpëtojnë jetët e njerëzve që marrin ilaçin, por edhe ulin nivelin e virusit në trupin e bartësit. E bën pothuajse të pamundur që personi t’ja transmetojë virusin dikujt tjetër”, thotë dr. Anthony Fauci, i Institutit Kombëtar të Shëndetit.

Terapia nëpërmjet ilaçeve është thjeshtësuar tashmë dhe shumë njerëz në vendet në zhvillim kanë qasje tek ilaçet më të reja. Ekziston edhe ilaçi “Truvada” që parandalon marrjen e virusit HIV nga njerëzit që nuk e kanë.

UNAIDS njofton se mbi gjysma e njerëzve që kanë virusin HIV, po marrin trajtim mjekësor, por se 16 milionë të tjerë të infektuar nuk marrin ilaçe. Shumë prej tyre nuk e dinë ende se mbartin virusin dhe ja kalojnë të tjerëve.

“Që t’i jepnim vërtet fund epidemisë, do të na ndihmonte shumë një vaksinë kundër virusit HIV”, thotë dr. Fauci.

Një testim i vaksinës në Tailandë, rezultoi me vetëm 31% efektshmëri.

Por, p.sh. efektshmëria e vaksinës ndaj fruthit është në nivelin 99%. A munden shkencëtarët të krijojnë një vaksinë për SIDA-n që të jetë po kaq e mirë?

“Nuk mendoj se do ta arrijmë vaksinën e plotë, por edhe sikur të jetë 50-60% e efektshme, mendoj se do ta ulte trajektoren e epidemisë në kombinim edhe me ilaçet e tjera që disponojmë tashmë”, thotë dr. Fauci.

Një tjetër testim i vaksinës po bëhet në Afrikën e Jugut. Rezultatet duhet kohë që të mblidhen, dhe nuk ekziston një mënyrë për të kuptuar nëse do të mjaftojë për ta ndalur SIDA-n.

Ndërkaq, duhet që më shumë njerëz të testohen dhe të kenë qasje tek shërbimet mjekësore. UNAIDS njofton se që nga viti 2000, në Afrikën Nënsahariane janë përgjysmuar rastet e infektimit me virusin HIV. Por në Evropën Lindore dhe në Azinë Qendrore, rastet e infektimit me SIDA janë rritur me 60% gjatë viteve të fundit.

Dhënia fund e kësaj pandemie është tashmë është në duart e komunitetit botëror që duhet të përcaktojë fonde për këtë objektiv.


Lajmi Fresh

E vogël, por me pasuri të shumta

Mrekullia që i ndodh shëndetit nga lajthia Lajthitë kanë një vend primar në fronin e …