Home / Përsiatje / Kush po falimenton në Kosovën e “lirë, demokratike dhe të pavarur”?

Kush po falimenton në Kosovën e “lirë, demokratike dhe të pavarur”?

Fadil Maloku

1. “Viktimat e falimentimit” në Kosovë prodhuan shtresa të reja. Pse, “viktimat e falimentimit”? Po, “viktima të falimentimit” ishin dhe mbetën akoma të gjithë ish punëtorët e ish sistemit që me procesin e privatizimit, ose i humbën vendet e tyre të punës ose nuk po mundën t’u akomodohen rrethanave të reja të krijuara me rastin e privatizimit të ndërmarrjeve të tyre.

2. Pas përfundimit të pesë luftërave të ndodhura në Ballkanin Perëndimor, procesi i ndryshimit të superstrukturës dhe bazës ekonomike në rajonin e Ballkanit perëndimor, apo thënë më ndryshe procesi i konvertimit të ish kompanive shtetërore në ato private që ishte një proces kogja i vështirë dhe i përcjellur edhe me afera e skandale nga më të ndryshmet, ishte një çështje që prodhoi një hendek të paparë gjerë në këtë kohë midis klasave dhe shtresave të ndryshme sociale.

3. Ky hendek, në fakt u shoqërua me shumë reperkusione para së gjithash: psikologjike (trauma, strese, pasiguri, etj) sociale (rriti diferencat midis të pasurve dhe të varfërve), ekonomike (ashpërsoi tej mase antagonizmat midis shtresës super të pasur dhe asaj super të varfër) e sidomos kulturore (u “aktivizua” lufta për prestigj sa më të lartë në shoqëri) që ndikuan në jetën dhe kualitetin e qytetarëve të rëndomtë.

4. Një kategori qytetarësh që deri dje kishin një jetë komode në kuptimin që nuk iu ekspozuan asnjëherë rrezikut të falimentimit familjar, zbritën një shkallë më poshtë dhe iu bashkëngjitën shtresës që edhe ashtu para lufte kishte probleme serioze në ndërtimin e kapaciteteve mbijetuese dhe përgjithësisht kualitetin e jetës. Një, kategori apo shtresë tjetër e pakët në numër, por me fuqi marramendëse ndikuese në rrjedhat dhe proceset e mëvonshme (që tashmë e kishte uzurpuar pa merita sociale dhe pa kredibilitet ekonomik statusin dhe privilegjet në fjalë) fillojë t’i konvertojë këto benifite në grabitje të paskrupullta dhe në privilegje të reja duke u futur në sferën e politikës!? Profilizimi i kësi sojit ad hoc, pra pa ndonjë proces seleksionues të konkurrencës që logjikisht prodhon faza e parë e kapitalizmit paramonopolist, bëri që oligarkët e Kosovës të mos përfillin asnjë kriter e as parametër teorikë të akumulimit të kapitalit të parë, ashtu siç ndodhi bie fjala në vendet dhe shtetet e para kapitaliste.

5. Akumulimi i kapitalit, këtu sikurse edhe ne disa vende te Evropës lindore, oligarkët i bëri jo tregu i lirë dhe konkurrenca lokale, por i bëri fuqia politike dhe lufta për pushtet. Kështu njerëzit që deri dje s’kishin si thuhet asgjë para vetes, brenda natës u bënë pasanikët më të mëdhenj në Kosovë.

6. Kësaj kategorie duhet shtuar edhe një shtresës të vogël të ish kolaboracionistëve në ish regjimin serb, të cilët duke pas të gjitha paradispozitat ekonomike, menjëherë pas luftës përmes shtresës së re që tashmë ishte fut në politikë, akordoi nga Serbia miliona miliona mallra në tregun e Kosovës.

7. Dhe një shtresë tjetër, kujtojë akoma në shumicë relative duke mos mundur të akomodohet me rregullat dhe rrethanat e reja të krijuara sociale e sidomos ekonomike të pasluftës, mori rrugën e mërgimit, duke mos zgjedhur as mjetet për t’u shpërngulur. Pikërisht kjo shtresë u bë “viktimë e falimentimit” dhe bankrotit në Kosovë.


Lajmi Fresh

Majtizmi dhe djathtizmi në Kosovë, janë veç mashtrime aparatçikësh

Fadil Maloku 1. Rëndomë thuhet se elementet kyçe të një partie politike duhet të jenë: …