Home / Poezi / Hekuran Halili – Cikël poetik

Hekuran Halili – Cikël poetik

***

Ma kafshojnë përditë egërsisht
Edhe këtë pak Atdhe që m’ka mbet
Ma kafshojnë qënërisht të huajt armiq
Më keq politikanët, që zihen si qentë…

***

Heshtja e natës ma mpreh dëgjimin
Poshtë dritares time kuaj Troje shkojnë
Një qyteti a kështjelle, i bëjnë gati pushtimin
Se kuajt e Odisesë, ende s’kanë ngordhë

Mbi kurrize shekujsh,merimangë pështjellë
Me material pabesie ndërtuar , trokojnë
Nxitoj, ëndrrën për atdheun tim të fshehë
Të vetmen kështjellë, që s’mund t’ma pushtojnë…

***

në gjumë natën mundohem ta vë
se gjumi im ka humbur udhë
hingëllin jashtë era ,pelë pa frë
ç’ka s’prek me dorë, i prek me mënd

si pelë n’afshim hingëllin jashtë era
dritaren m’tund e gjethet shkund
shpirti hamshor m’arratiset nga dera
bashkohet me erën , dot më se zë

kur erën t’dëgjoni me këngët magji
a duke ulëritë ,si ulkonjë këlyshhumbë
mundohuni mos zini n’lak shpirtin tim
koshere pa bletë, pa të ngjaj unë…

në gjumë natën mundohem ta vë
se gjumi im ka humbur udhë
hingëllin jashtë era ,pelë pa frë
ç’ka s’prek me dorë, i prek me mënd…

Mirë se te gjemë Çamëri

Bilal, vëllai im, gëzohu,
S’ka më “ Lamtumirë Çamëri”,
Jam kthyer në trojet e mia stërgjyshore,
Dhe të tjerët çamë pas më vinë.
Tani,
Të gjitha udhët tona,
Si krah gëzimi,
Zgjaten në jug,
Rrugën e kthimit na e tregojnë ,
Të vdekurit e pa varr,
Ndërsa varret stërgjyshore,
Sheshuar nga dora e të huajit,
Si barqe grash shtatzënash u frynë,
Ngarkuar nga pritja e malli,
Qajnë, qeshin, ulërinë,
Avllitë e muret e myshkuara nga marazi,
Zgjatin krahët, i përqafoj , i puth,
Gurë më gurë ,brrinjë më brrinjë,
E u them me lot në sy,
Mirë se të gjej Çamëri!

Pastaj,
Pastroj hirin në vatër,
Ku zjarrin të ndezur lamë,
Shtatëdhjetë e pesë vjet pa u fshirë.
Ende të ngrohtë i gjej thëngjijtë.
Ndez zjarrin me eshkën e mallit tim,
Ndersa gruaja mbi pirosti vë kusinë,
Mëngjezin të na përgatisë…

Dalë në shkallë, me sy bëj numërimin,
E pasurisë të fisit tim, që i bëri këto brigje
Erën ftoj të më numërojë ullinjtë,
Vet dot si numroj, janë mbi pesëmilë,
Arat në fushën e Kestrinës ,
E kullotat në Malin e Thatë,
Ku kullosja milëra bagëti
Të sosur s’kanë…

Në këtë ekstazë gëzimi superior,
Çahet qielli e rrjedhin rrezet,
Nga ku më zbresin e ulen mbi supe,
Dymbëdhjetë perëndi.
Më marrin e shkojmë në Dodonë,
Bëjmë të bekimit ceremoni,
Mos u harrofsh e mos vdeksh kurrë,
E madhërishmja Çamëri!

Me këtë bekim Zoti,
Në Artë e Pargë shkojmë,
Vëmë sinoret e kurora me ulli,
Nga ai që priti Uliksin,
Dhe një kupë me klumësht ,
Nga gjiri i Ambrakisë pimë,
Ngjitemi në Sulin shqiptar,
Nxjerrim Marko Boçarin nga një shkëmb,
E kthehemi, hamë mëngjezin në Lopsin tim…

Bilal, vëllai im,
Hark ylberi i Çamërisë,
Ngrihu,
S’ka kohë për vdekje,
S’ka kohë për t’u dergjur në varr-rënkimë,
Eja me mua në këtë kthim biblik,
Ngarkuar me eshtrat e të pakallurve në shpinë,
T’ju themi këtyre viseve thesprote,
“Det me portokalle e ullinj”,
Mirë se të gjejmë Çamëri…!

Bilal – Është bisedë me poetin Bilal Xhaferi, që shkroi në vitet gjashtëdhjetë të famshmen baladë çame ,që mbyllet me vargun…Lamtumirë Çamëri…

Hekuran Halili

Loading...

Lajmi Fresh

Pa pikë grimi, por ja si duket Mihrije Braha

Mihrije Braha është këngëtarja e njohur shqiptare e cila edhe pse ka shumë vite në …