Home / Diasporë / Bulliqi: Ne udhëhiqemi nga një ideal i shqiptarizmës, dhe i pathyeshëm për Atdheun: Ruajtja e tërësisë territoriale të Kosovës

Bulliqi: Ne udhëhiqemi nga një ideal i shqiptarizmës, dhe i pathyeshëm për Atdheun: Ruajtja e tërësisë territoriale të Kosovës

Shoqata :”Yjet e Kosovës” Emmendingen në një ambient madhështor në sallën e stërmbushur dhe tingujt e muzikës të shoqëruar me zërin dhe këngën shqipe të Naim Abazit dhe Mihrije Brahes kanë festuar Ditën e flamurit dhe ditëlindjes së Dr. Rugovës.

Në pamundësi që të marrë pjesë Dr.Shpejtim Bulliqi i drejtohet manifestimit me një telegram urimi, i cili u prit me duartrokitje frenetike nga të pranishmit.

Telegrami i përshëndetjes dhe urimit për Shoqatën “Yjet e Kosovës”

“Të nderuar bashkatdhetarë, pjesëmarrës të respektuar të këtij manifestimi madhështor, urime festa e Flamurit tonë Kombëtar dhe ditëlindja e presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.

I nderuari Sadik Halilaj, së pari dëshiroj që t’ju them se jam shumë mirënjohës për ftesën që ma keni bërë ju dhe komuniteti ynë shqiptar atje, por për shkaqe teknike, meqë ende padrejtësisht jemi komb i izoluar, me mundësi tejet të kufizuara lëvizjeje, si dhe për çështje profesionalo- politike dhe kombëtare, meqë mua dhe ekipit të cilin e udhëheq na është caktuar një detyrë atdhetare për mbrojtjen e tokave tona, mbrojtjen e të cilave e kishin synim edhe breza e breza dhe, me gjithë dëshirën time të madhe, nuk arrita të jem në mesin tuaj.

Derisa po shkruaj këtë telegram urimi, unë kam parasysh mesazhin tuaj, të cilin përmes këtij manifestimi të dyfishtë, dëshironi t’ua përcillni Prishtinës, Tiranës dhe Shkupit.

E ai është unitet dhe bashkëveprim, për këtë po ashtu na thërret 28 Nëntori i shenjtë i kryeheroit Skënderbeu, Ismail Qemajlit, Isa Boletinit, Don Nikollë Kaçorit, Ibrahim Rugova, Anton Çetta, Adem Jashari, datëlindja e të cilit lidhet po ashtu drejtpërdrejt me 28 Nëntorin, dhe dalja publike e UÇK-së, dhe jo vetëm këta burra të mëdhenj të kombit, por edhe veprimtaria e shenjtë e shumë e shumë të tjerëve, të cilët për neve krijojnë ndjenja krenarie dhe lavdie, por edhe obligim kombëtar, që t’i ruajmë tokat tona arbërore, të cilat një shekull më parë na i shkëputen padrejtësisht.

Të nderuar veprimtarë dhe pjesëmarrës të manifestimit, ne ishim dhe jemi një, nuk ka fuqi që na ndanë, as fe, as parti, as Turqi, Rusi dhe, as Serbi.

Ne udhëhiqemi nga një i vetmi ideal i shqiptarizmës, i prosperitetit të kombit të bashkuar dhe të unifikuar, sepse kështu jemi më të fortë, dhe të pathyer për atdheun e dashur dhe tërësinë e tij territoriale, të cilit tani sërish i kërkohet të falë tokat e tija shekullore. Andaj, gjithmonë, por sidomos në këso situatash, na duhet unitet dhe bashkëveprim për të mirën e të gjithëve.

Të shtrenjtit mërgimtarë, unë iu falënderoj shumë për ftesën që ma keni bërë, dhe ndihem tejet i privilegjuar nga respekti juaj. Unë do të jem në shërbimin tuaj, shkencës dhe atdheut, dhe nga thellësia e zemrës ju uroj që të keni jetë të gjatë, të lumtur. Po ashtu, uroj që të festoni edhe shumë festa kombëtare si 28 Nëntorin dhe ditëlindjen e presidentit Rugova.

Zoti ju bekoftë!

Me respekt, Prof. dr. Shpejtim Bulliqi”, thuhet në telegramin e tij. Gazeta SHQIPTARI.com


Lajmi Fresh

Alarmi: Emigrimi po ndikon në uljen e popullatës

Trendët demografike të popullsisë në Kosovë do të shënojnë një bilanc negativ deri në vitin …