Home / Përsiatje / Abdulla Mehmeti: NË 73 VJETORIN E LINDJES SË KRYETARIT TË PARË TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Abdulla Mehmeti: NË 73 VJETORIN E LINDJES SË KRYETARIT TË PARË TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

IBRAHIM RUGOVA

(2 dhjetor 1944 – 21 janar 2006)

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në École Pratique des Hautes Études, nën udhëheqjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës.

Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Pastaj, për afro dy dekada, Ibrahim Rugova veprimtarinë e veta shkencore i zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.Si intelektual që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe n zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004.

Ibrahim Rugova ndërroi jetë me 21 janar 2006 , ndërsa u varros me nderime te larta shteterore dhe ushtarake në Prishtinë. Funerali i Ibrahim Rugovës ishte njëri nga më të mëdhenjtë të historisë shqiptare.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në Kosovë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

VEPRAT

• Prekje lirike, (1971)
• Kah teoria, (1978)
• Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, (bashkëautor me Isak Shemën), (1976), Instituti Albanologjik, Prishtinë,
• Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), (bashkautor me Sabri Hamitin), (1979)
• Strategjia e kuptimit, (1980)
• Vepra e Bogdanit 1675-1685, (1982),
• Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986
• Refuzimi estetik, (1987)
• Pavarësia dhe demokracia, (1991)
• Çështja e Kosovës, (1994)
• Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, (2005)

BOTIMET PAS VDEKJES

• Kritika, (2007)
• Kode të shkrimit letrar, (2009)
• Sistemi poetik i Sabri Hamitit, (2013)
• Teoria letrare, (2013)
• Përballë strategjisë negative, (2013)
• Differentia speciffica, (2015)

TITUJT, MIRËNJOHJET DHE ÇMIMET NDËRKOMBËTARE

• Më 1995, Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer, Danimarkë.
• Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.
• Më 1998, Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
• Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe i qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.
• Në vitin 2000, Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.
• Në vitin 2004 Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.
• U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
• Më 2004, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.
• Në vitin 2006 Persidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, e dekoroi Presidentin Ibrahim Rugova (post mortum) me çmimin “Urdhëri i Flamurit Kombëtar”.

Abdulla Mehmeti


Lajmi Fresh

Majtizmi dhe djathtizmi në Kosovë, janë veç mashtrime aparatçikësh

Fadil Maloku 1. Rëndomë thuhet se elementet kyçe të një partie politike duhet të jenë: …